Peisazh natyror

Posted in art dhe kulture | Leave a comment

Fatura e mbrëmjes se maturës

Çmimet për veshjet dhe këpucët janë me pesë zero. Restoranti dhe look-u kushtojnë më pak
Të premten që lamë pas maturantët e të gjithë vendit u ulën për herë të fundit në bankat e shkollës. Atë ditë u mbyll thjesht viti shkollor, pasi ata do të jenë së bashku për ta paktën edhe një muaj tjetër.
Përpara janë provimet e maturës dhe ngjarja e madhe, mbrëmja e fundit së bashku, “Mbrëmja e Maturës”. Për një pjesë të maturantëve ethet e kësaj feste kanë filluar që në fillim të vitit shkollor, bashkë me planet dhe ndonjë kursim të vogël lekësh.
Më shumë të dhëna pas kësaj dite duket se janë vajzat, të cilat nisin të shfletojnë katalogë e faqe interneti për të kërkuar modelin ideal (apo të ngjashëm me idealin) të fustanit, këpucëve, bizhuterive e deri tek modeli i flokëve. Në fakt, edhe në dyqane janë ato që kanë vërshuar të parat.
Prej gati një muaji ka filluar maratona e provave të fustaneve në dyqanet e kryeqytetit. Ka prej tyre që i kanë pasur idetë e qarta dhe i kanë blerë fustanet, e të tjera preferojnë që të shohin edhe pak, pasi kohë ka deri në mbrëmjen e maturës, në korrik.
Por, cila është shifra kufi që këto maturantë kanë? Kjo është një pyetje që shumë prindër i ka bërë tashmë dhe dhimbje koke. Në dyqanet e pyetura, fakti i parë që të bën përshtypje është monedha më të cilën blihen fustanet. Nuk flitet më me lek, por me euro. “Ky fustan kushton 850 euro”, shpjegon shitësja “Deri tani janë shitur dy, ky është i fundit që ka mbetur”.
Me tej çmimet e fustaneve të shitura vazhdojnë 500 euro, 400 euro etj., etj. Por, ky është vetëm fillimi, pasi blerjet ende nuk kanë filluar mirë dhe deri në minutën e fundit vlera e një fustani mbrëmjeje do të jetë rritur edhe më shumë.
Këpucët
Fustani i ëndrrave sigurisht që do këpucët e duhura. Edhe në këtë pikë nuk mund të bëhen tolerime. Shpenzimet për këpucët nuk janë aq të mëdha sa për fustanet, por edhe të papërfillshme nuk mund të konsiderohen.
Në një nga dyqanet më në zë të këpucëve në kryeqytet, na tregojnë se shifrat për këpucët e blera variojnë nga 170 euro ( më të lirat) e deri në 600 euro. Megjithatë, jo të gjithëve ua lejon portofoli të blejnë në këto dyqane dhe më të tilla çmime, dhe për këtë i drejtojnë sytë nga dyqanet më ekonomike, ku mund të gjejnë fustan apo këpucë që nuk shiten me euro, por me lek.
Tualeti
Jo më pak i rëndësishëm në këtë ditë është tualeti dhe flokët. Në sitën e maturantëve kalojnë qindra modele, por në fund fiton vetëm një. Ndonëse është pjesa më e dukshme, tualeti dhe flokët kushtojnë më pak se gjithçka tjetër. Sallonet e bukurisë i kanë çmimet standarde.
“Kaq për flokë të shkurtër e aq për flokë të gjatë”. Ndërsa tualeti kushton 1 mijë lek. Maksimumi i shpenzimit për flokë dhe tualet shkon 2 mijë lek. Këto çmime janë në sallonet e zakonshme, pasi në ato që frekuentohen nga VIP-at çmimet nuk bëhen publike.
Restoranti
Një shpenzim i domosdoshëm. Këtë vit pjesa më e madhe e rezervimeve janë në lokale apo komplekse që gjenden jashtë Tiranës. Madje, nuk mungojnë edhe rezervimet në qytetin bregdetar të Durrësit. Për këtë pjesë, shpenzimet janë në varësi të restoranteve.
Një maturant që do të festojë në Durrës, do të shpenzojë përafërsisht 4500 lekë (vetëm për ushqimin) ndërsa në Tiranë çdo gjë varet nga restoranti dhe fatura mund të shkojë nga 4 mijë deri në 6 mijë lekë.
Ata që kanë më shumë rezerva për këtë mbrëmje janë prindërit, të cilët janë “sponsorët”.
Për ta sigurisht që disa janë shpenzime të kota, por përballë lumturisë së fëmijëve nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të hapin portofolin dhe të kënaqin dëshirat e tyre. Në fund të fundit, kjo është vera e fundit për ata si fëmijë. Në tetor do të kenë një tjetër status, atë të studentit.

Posted in sociale | Leave a comment

Salihi, supergol malazezëve

Përfundon me fitoren e skuadrës kuqezi, miqësorja e djeshme në Podgoricë

Miqësore
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Shënues: Salihi 79′

Falë një eurogoli të Hamdi Salihit në minutën e 79-të, Shqipëria triumfoi 1-0 ndaj Malit të Zi në miqësoren e zhvilluar në Podgoricë, fitorja e dytë rresht pas asaj me Irlandën e Veriut në Tiranë (të vendosur me një gol të Ervin Skelës).
Fitorja ndaj Malit të Zi ishte edhe një fitore e Kuzhes ndaj homologut të tij kroat, trajnerit Zllatko Kranjçar, në sfidën e gjykuar po nga gjyqtarë kroatë. Kjo ishte miqësorja e 76-të e Shqipërisë, e që përkoi me fitoren e 28-të të saj, e për më tepër ndaj Malit të Zi, ndaj të cilët edhe ka fituar në ndeshjen e parë të saj, 5-0, në vitin e largët 1946.

Pas ndeshjes, trajneri Kuzhe pohoi se ishte i kënaqur me mbrojtjen, por jo me sulmin, kjo dhe për shkak të zëvendësimit të shpejtë të Ervin Skelës së dëmtuar. “Jam i kënaqur me rezultatin.
Ndaj Andorrës do të provojmë lojtarë të rinj”. Edhe pse Mali i Zi u shfaq më dominues në mesfushë, rastet më të mira i pati Shqipëria, kur Bogdani në minutën e 22-të shpërdoroi një rast të mirë për të shënuar pas një topi të harkuar nga Ervin Bulku. Sulmuesi i Kievos nuk ia doli të kontrollojë mirë topin brenda zonës malazeze.
Para këtij momenti ishte Hamdi Salihi , ai që nuk kontrolloi saktë një top të dhënë pas një sllallomi të Ervin Bulkut. Malazezët luajtën fort, madje më ndërhyrjen e Miodrag Xhudoviçit, kapiteni Ervin Skela pësoi edhe një çarje në kokë aq sa fantazisti shqiptar u detyrua t’ia linte vendin Jahmir Hykës në minutën e 18-të. Pjesa e parë mbyllet me një goditje të një kundërshtari malazez në fytyrën e Agollit, kur mbrojtësi i majtë shqiptar kishte rrëshqitur në pistë.
Një fraksion më solid i Shqipërisë, nga minuta e parë e saj e deri te fërshëllima e fundit e gjyqtarit. Jahmir Hyka gjarpëroi në kufijtë e zonës së rreptësisë, duke fituar një goditje të lirë.
Duro në minutën e 52-të ekzekutoi mjeshtërisht, por sfera përfundoi paksa mbi kuadrat, gjithsesi solli entuziazëm te tifozeria shqiptare e pranishme në Podgoricë. Gjergji Muzaka zëvendësoi Klodian Duron në minutën e 64-ët, dhe po Edmond Kapllani zuri vendin e Erjon Bogdanit.
Hidi bëri një ndërhyrje shembullore, duke bllokuar një silurë të malazezëve nga një goditje e lirë prej 28 metrash në minutën e 67-të. Disa këmbëngulje të Hykës, në kërkim të Salihit u neutralizuan nga malazezët.
Prania e Kapllanit i dha më shumë frymëmarrje sulmit, derisa erdhi momenti i Ansi Agollit, kur këmbëmajti goditi traversën në minutën e 69-të, me një gjuajtje perfekte, si në rastin e golit të tij në miqësoren kundër Gjeorgjisë, në qershor të vitit 2009. Momenti kulmor i takimit në 70 minutat e para.
Në fushë për Malin e Zi edhe sulmuesi kosovar i Buduçnostit, Fatos Beqiraj, i pozicionuar në krah të sulmuesit të Romës, Mirko Vuçiniç. Hamdi Salihi në minutën e 79-të shënoi një supergol, me një goditje perfekte nga rreth 23 metra.
Gjergji Muzaka harkoi një top në zonë, Xhudoviç devijoi topin që mbërriti te shkodrani, dhe sulmuesi i Rapidit të Vjenës tregoi klasin e tij, duke realizuar golin e mrekullueshëm.
Tifozët më pas nxorën në tribunë edhe një banderolë me portretin e tij me bluzën e Kombëtares. Dy minuta më pas, Salihi i la vendin Elis Bakajt, i përcjellë nën duatroktitjet frenitike të tifozëve kuqezinj.
Tri minuta më pas, ishte Hyka me një veprim virtuoz në fundore, që i ofroi Kapllanit një mundësi të dytë. Në minutën e 85-të, Kuzhe hodhi në fushë Gilman Likën në vend të Ervin Bulkut, ky i fundit në një ndeshje me rendiment dhe produktivitet.
MIQËSORET ME KUZHENË

Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1

Posted in sport | Leave a comment

Neugebauer: Teatri është shija e jetës

Sqima franceze, humori italian, pushteti gjerman dhe inteligjenca e një shqiptari flasin një gjuhë në “Vojcekun” e regjisorit Stefan Neugebauerit. Një histori tragjike për pushtetin që i bën njerëzit cinikë dhe të pështirë

Sonte, ora 19.00, në Akademinë e Arteve shfaqet “Vojcek”, një histori tragjike e shkuar më 1836 nga Georg Büchner, me regji të Stefan Neugebauerit. Büchner nuk e përfundoi dot dramën, pasi ndërroi jetë më 1837.
Neugebauer na siguron se “Vojceku” i tij i ka mbetur pothuajse besnik origjinalit, vetëm se personazhi kryesor, Vojceku është shqiptar. Ky projekt teatror i mbështetur nga ambasadat Gjermane, Franceze, Italiane dhe Akademia e Arteve në Tiranë, tenton heqjen e barrierave gjuhësore dhe të sjellë në një vepër të vetme përvoja teatrore ndërmjet këtyre vendeve.
Interpretojnë: aktorët shqiptarë Irgen Çela (Vojçek), Suela Çerri (Maria), Marjan Deda (Muzikanti), Emiljano Palali (Andres), Margret (Arjola Basho), aktori italian Gerolamo Fancellu (Kapiteni), aktori francez Frantz Helmer (Doktori) dhe aktori gjerman Folke Paulsen (Majori). Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Edlira Bozo. Muzika është kompozuar nga Marjan Deda. Ass/regjisor është Florand Veizi.
Një ditë para premierës regjisori Stefan Neugebauer rrëfen përvojën për realizimin e kësaj shfaqjeje. Ai e sheh teatrin si hapësirën ku tregohet jeta dhe ku njerëzit zbaviten. Këtë tenton të arrijë edhe në “kishëzën” e tij në Berlin, në Clubtheater, teatrin që drejton prej tri vitesh.
Z. Neugebauer, sot janë provat gjenerale të “Vojcekut” dhe gjithçka është drejt fundit. Shohim që hapësirën më të madhe të skenës e zë një bunker. Çfarë funksioni i keni dhënë?
Bunkeri është simbol i luftës dhe e sheh gjithkund në Shqipëri. E di që shqiptarët nuk i kanë shumë për zemër. Por, historia zhvillohet në një kamp ushtarak dhe Vojceku bashkë me gruan jetojnë në këtë bunker. Ata janë të varfër.
Përballë bunkerit, është një bar kazinoje. Po ashtu, është vendosur një piano dhe një muzikant luan në piano. Marjan Deda e ka krijuar muzikën enkas për shfaqjen. Ajo është dramatike dhe e frikshme sepse historia është e tillë. Skenografia krijon kontrastin e duhur.
Bunkeri është një simbol, por vepra jonë nuk i referohet komunizmit. Historia ngjet në një kamp ushtarak. Në vend që të krijonim një shtëpi të zakonshme, ka më shumë kuptim vendosja e një bunkeri, që mbart simbolin e luftës dhe në të njëjtën kohë të komunizmit.
Çfarë vlerësoni te autori Georg Büchner?
Pikë së pari e dua këtë vepër. Ajo të jep liri për t’i futur të gjitha gjuhët. Gjithashtu, flet për lidhjen mes europiano perëndimorëve dhe shqiptarëve, sesi e kuptojnë, ose sesi nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Nuk do të doja një vepër që ka kuptim për gjermanët, dhe që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë.
Autori i saj, Georg Büchner ka vdekur shumë i ri, dhe dramat e tij janë të hershme, por janë shkruar në një mënyrë që duken moderne sot. Vepra është fragmentare dhe askush nuk e di si do t’i lidhte ai së bashku pjesët. Një regjisor është krejt i lirë për adaptimin e pjesës. Kjo gjë më pëlqen. Më pëlqen gjuha e tij dhe historia e tij plot emocione, veprim, krim, xhelozi.
Ka gjithçka në të. Nuk është një dramë e bazuar vetëm te fjala. Ajo është një burim lëvizjeje, energjie. Njerëzit kanë për ta kuptuar historinë edhe pa ua ditur kuptimin fjalëve të tekstit. Kjo është një vepër e mirë. Büchner nuk është si Gëte apo Çehovi, veprat e të cilëve janë më tepër intelektuale.
Për këtë shfaqje nuk do të përdoret vetëm skena, por edhe lozhat, salla, i gjithë teatri. Publiku do të përfshihet në ngjarje.

Çfarë doni të arrini me këtë?
Më pëlqen që njerëzit të zbaviten. Nuk më pëlqen që të dalin nga teatri me mendimin: “Ishte shfaqje interesante, por nuk e mora vesh kuptimin e saj”. Preferoj që të përfshihen komplet në histori, të ndiejnë emocione. Të mos ndihet ideja që je në një skenë teatri. Por, kjo është jeta.

Büchner është krejt i panjohur këtu
E di këtë. Di që edhe është përkthyer një dramë tjetër e tij nga Ardian Klosi. Duhet të vihen më shpesh vepra të tilla.

Si e keni parë Vojcekun shqiptar?
Nuk ishte e thjeshtë të gjendej aktori i duhur. Ai është aktori kryesor. Nëse nuk gjendet i duhuri, më mirë braktise shfaqjen. Bëra një casting në shkurt dhe dikush më këshilloi për Irgen Çelën. Patëm një provë 10 minutëshe.
Ai nuk është i gjatë, është i “vogël” por është i qeshur dhe plot energji. Ishin tipare të mira për rolin. Ka peshën e shfaqjes dhe është gjithë kohën në lëvizje. Vojceku është energjik dhe inteligjent. Ai duhet të krijojë marrëdhënie me të gjithë në shfaqje. Çela është një aktor i zgjuar. Ndihem i lumtur që e gjeta.

Po historia çfarë ka ndryshe nga ajo që ka shkruar Büchner?
Është e njëjta histori, por në kohën e sotme. Finalja e historisë nuk është shkruar nga Büchner. Pas vrasjes së gruas, Vojceku nuk ka më zgjidhje për jetën dhe…do ta shihni në shfaqje.

Duket si një histori e zakonshme, dashuri, xhelozi dhe krim. Apo ka diçka përtej kësaj?
Është një histori që ndodh në jetë. Një njeri mund të vrasë dikë tjetër për xhelozi. Fraza që dua më shumë në këtë histori është: “Çdo njeri është një humnerë, të merren mendtë kur shikon poshtë në të.” Kur sheh brenda vetes mund ta gjesh humnerën. Ndodh që nuk e ndesh asnjëherë. Vojceku e sheh këtë humnerë kur sheh të shoqen me agjentin gjerman. Kjo e çmend atë. Por, Maria nuk është i vetmi problem i tij. Doktori francez bën një eksperiment mjekësor me të, për dy muaj me radhë i jep të hajë të njëjtin ushqim. Ai do të zbulojë ç’ndodh me të pas kësaj. Vojcek fillon të ketë vizione dhe të çmendet nga ky eksperiment. Doktori është shumë i çuditshëm. Abuzon me pushtetin e tij dhe e trajton si kafshë.

Po ç’mund të bëjë Vojceku? Ai ka nevojë për para. Ka një fëmijë për të rritur. Ai është berberi i kapitenit italian që tallet gjithë kohës me të i cili i rrëfen për marrëdhënien e agjentin gjerman me të shoqen. Është mizor dhe e nxjerr mendsh Vojcekun. Nga të gjitha anët ai ka konflikte dhe është e kuptueshme që nuk e kontrollon veten. I vetmi shok i tij deri në fund është Andresi. Ai përpiqet ta ndihmojë, por nuk ia del.

Ku shfaqen idetë e Büchnerit për lirinë, përparimin, revolucionin?
Nuk mund të lexohen hapur, por aty shihet sesi çdo njeriu abuzon me pushtetin. Vojceku është viktimë e pushtetit të gjithsecilit. Aty duket sesa cinikë mund të jenë njerëzit.

Karakteret janë të ndryshëm dhe aktorët që i luajnë vijnë nga vende dhe përvoja të ndryshme. Çfarë zgjidhje propozoni ju?
Le të marrin për shembull aktorin francez, Frantz Helmer. Ai është një francez tradicional. Teatri francez është ndryshe me atë gjerman dhe italian.
Ai është i mbërthyer pas fjalës dhe ka dëshirë të mbajë fjalime të bukura. Ka mënyra të tjera të luajturit të këtij roli, por ai ka këtë karakter. Pak nervoz, pakëz sipërfaqësor dhe i pëlqen të flasë. Kjo është tipike franceze. Kurse aktori gjerman është një burrë i gjatë, me zë të thellë dhe i fuqishëm fizikisht. Kjo është e rëndësishme për historinë. Maria joshet nga bukuria fizike e tij. Aktori italian sjell një frymë humori në shfaqje. Mendoj se është humor cinik, pak tipik italian dhe pak nga karakteri i tij. Ka edhe pesë aktorë shqiptarë.
Margarita është në garë me Marien, të dyja të interesuara për agjentin gjerman. Maria është shumë sensuale, spontane. Muzikanti është shqiptar, por gjithë kohën flet anglisht. Sepse ai nuk do të jetë shqiptar, do të jetë dikush tjetër dhe ëndërron të shkojë në Amerikë një ditë. Në shfaqje është e ekzagjeruar, sepse ai nuk flet një fjalë në shqip dhe thotë: “Unë jam një amerikan. Kam lindur gabimisht këtu”. Por, di që ndodh. Kjo pjesë nuk është e shkruar në histori. E kam shtuar unë.
Të njëjtën ndjesi kam pasur kur jetoja në Gjermaninë Lindore dhe doja të isha Gjerman i perëndimit. Kjo ishte një ndjesi familjare për mua. E njoh atë ndjesinë që, megjithëse je në vendin tënd, nuk ndihesh si në shtëpi.

Cilat janë parimet që nuk i keni tradhtuar kurrë në punën tuaj në teatër?
Punoj ndryshe nga regjisorët shqiptarë. Ata e fillojnë me punën në tavolinë, kurse unë në skenë. Karakteret zhvillohen në veprim e sipër. Kjo është mënyra ime e punës.

Po teatri që përshtatet me parimeve tuaja?
Mua më pëlqen që t’i zbavit njerëzit. I dua emocionet. Kjo është një histori tragjike. Unë duhet ta çlirojë paksa. Nëse do të fillojë me melankoli, njerëzit do të lodhen shpejt me të. Duhet të jetë e mbushur me jetë, me gëzim dhe kur ka pak mundësi për të qenë e tillë. Historia mos të ngjajë më e trishtë se ç’është.
Teatri ka edhe funksionin e zbavitjes së njerëzve dhe ata duhet ta ndiejnë historinë. Më pëlqen që të duket diçka autentike dhe t’i flasë audiencës. Njerëzit mos t ë mendojnë “të jenë, apo mos të jenë”. Nuk them që teatri të jetë personal, por edhe jo shumë teatër. Ai është thelbi i jetës. Duhet të jetë real. Njerëzit të mos mendojnë: “Ky është teatër, nuk ka të bëjë me ne”. Në fakt ka të bëjë shumë me ne.

Irgen Çela: E rëndë pesha emocionale e Vojcekut
Ky është projekti i parë jashtë shkollës ku marr pjesë. Gjuha nuk është problem në shfaqje sepse teksti njihet nga të gjithë. Gjithkush e di ç’thotë secili. Për sa i përket marrëdhënies me regjisorin, mënyra e punës është komplet ndryshe nga ajo e
Akademisë. Këtu merren gjërat hap pas hapi, dalëngadalë, duke bërë analizën e pjesës, analizën e tekstit, duke shkruar në procesin e mizanskenës dhe më vonë të shfaqjes. Ndërsa praktika e Stefan Neugebauerit është më e shpejtë. Hidhet në veprim direkt, në vizatim të veprimeve skenike dhe gjërat qartësohen aty për aty, ndërkohë që kryhet veprimi. Në fillim nuk di si të reagosh, ndodh që edhe je kundër. Por, duhet të familjarizohesh. Vojceku është rol i vështirë dhe i bukur. Flet për një njeri që është i gatshëm të sakrifikojë çdo gjë për një jetë të thjeshtë familjare. Është në gjendje të vështirë ekonomike. Përveç detyrave të zakonshme ushtarake, pranon të kryejë edhe shërbime të tjera, pranon të kryhet eksperiment shkencore mbi të. Drama e tij është e madhe. Përveç frustrimit nga eprorët, e tradhton edhe e shoqja. Aty merr fund gjithçka. Është shumë e rëndë pesha emocionale e këtij personazhi. Shpresoj të arrij diçka.

Posted in art dhe kulture | Leave a comment

Shoferi i kamionit vret gruan dhe veten

Koço dhe Arjana Shyti, me dy fëmijë, ishin divorcuar ndërsa gruaja prej dy vitesh………………………………………… Tiranë. Autori i kërkoi të shoqes të rilidhen


Gruaja punonte në qendrën e interentit të të birit, ku edhe u qëllua me 6 plumba nga ish- bashkëshorti i saj

TIRANË- Shoferi i kamionit nga Berati vret gruan dhe veten disa kohë pasi ishin divorcuar, në qendrën e internetit të hapur nga djali i tyre, ku gruaja edhe punonte. Krimi i dyfishte brenda familjes ndodhi dje në afërsi të ish- kompleksit “Dinamo”, në rrugën “Skënder Luarasi”, ku gruaja e vrarë sapo kishte nisur ditën e saj të punës në qendrën e internetit të të birit.
Koço Shyti, 57 vjeç, lindur dhe banues në Berat dhe ish- bashkëshortja e tij, Arjana Shyti, 49 vjeçe, banuese në Tiranë, mbetën të vrarë, pasi Koço qëlloi fillimisht mbi Arjanën ndërsa më pas qëlloi veten në ballë, duke sjellë fundin e tyre, pas divorcit, ndërsa nga martesa e tyre kishin pasur dy fëmijë.
Nga hetimet paraprake të Policisë së Tiranës, dyshohet se shkak i ngjarjes është divorci mes tyre kohë më parë. Sakaq, burimet e policisë pohuan dje se që prej kohës së ndarjes së tyre, shoferi 57- vjeçar, ishte duke kaluar një gjendje depresive ndërsa vuante ndarjen me bashkëshorten e tij Arjana.
Koço Shyti, ishte nisur mëngjesin e djeshëm nga qyteti i Beratit, orët e para të mëngjesit, drejt Tiranës për të bindur të shoqen që të rilidheshin.
Rreth orës 8:00 të mëngjesit Shyti, u afrua i armatosur me armën automatik “Kallashnikov”, drejt qendrës së internet-kafesë ku punonte 49 -vjeçarja, ish- bashkëshortja e tij.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës për ngjarjen thuhet se autori i ngjarjes, e kishte futur armën në një çantë sportive, në të cilën në fillim u dyshua se kishte një sasi lëndë eksplozivi.
Pas shpërthimit të saj rezultoi se në të kishte pasur fishekzjarrë. Rreth orës 8.20, Koço Shyti hyri në ambientet e qendrës së internetit, duke e qëlluar ish- gruan me armë zjarri automatik në trup, ndërsa mbeti e vdekur në vend.

Ajo mori në trup gjashtë plumba, ndërsa në kushtet e tronditjes së rëndë psikike, kamionisti, Shyti vrau dhe veten. Ai sipas eskpertëve, e drejtoi armën nga vetja, duke u vetëqëlluar në ballë.
Në momentet e ngjarjes brenda ambienteve të qendrës së internetit, ishin vetëm Arjana Shyti, ish- bashkëshorti i saj dhe një punonjëse tjetër.
Ajo u mor nga hetuesit në cilësinë e dëshmitares, duke qenë se gjithçka ndodhi para syve të saj.
Forca të shumta të Policisë së Komisariatit nr. 2 dhe oficerë të zyrës së vrasjes, në Policinë e kryeqytetit mbërritën në vendin ku ndodhi krimi i dyfishtë, ndërsa parandalimi i saj ndoshta mund të ketë qenë një mision i pamundur. Për shkak të mbipopullimit të zonës, policia bëri një perimetër të madh të vendit të ngjarjes, me qëllim evitimin dhe largimin e sa më shumë kureshtarëve.
Pasi janë kryer të gjitha veprimet e policisë, janë marrë në pyetje edhe disa dëshmitarë të ngjarjes, banorë të lagjes si dhe personi që punonte në qendrën e internet kafesë, kur ndodhi krimi i dyfishtë.
Në pyetje janë marrë edhe të afërmit e dy viktimave, të cilët kanë dëshmuar para oficerëve të policisë, për marrëdhëniet që kanë pasur kohët e fundit viktimat. Ndërkohë, trupat e pajetë të Koçi dhe Arjana Shytit, u dërguan në morg, për t’u kryer autopsia mjeko-ligjore.
Më pas trupi i Arjana Shytit u dërgua në shtëpinë e saj, në rrugën “Robert Shvarc”, që ndodhet pranë një qendre të madhe tregtare, ku mësohet se jetonte me dy fëmijët e saj dhe të afërm të tjerë.

Ende nuk dihen motivet e divorcit mes tyre, ndërsa policia pritet të sqarojë rrethanat e hetimit sot

Gruaja prej dy vitesh jetonte me fëmijët në kryeqytet
TIRANË- Policia pohoi dje se ish- çifti Shyti, ishin të divorcuar dhe prej gati dy vitesh nuk jetonin bashkë. Koço Shyti banonte në Berat, ndërkohë që ish-gruaja e tij, Arjana, banonte në Tiranë, në një apartament që ndodhet në rrugën “Robert Shvarc”, pranë një shkolle private. Kjo e fundit ishte punësuar në një qendër internet-kafe, që ndodhet në rrugën “Skënder Luarasi”, brenda së cilës ndodhi dje edhe krimi i dyfishtë.
Bashkë me viktimën jetonin dhe dy fëmijët e saj, vajza maturante dhe djali në vit të dytë të shkollës së lartë. Ndërsa viktima tjetër, Koço Shyti, jetonte në Berat, pas divorcit me ish- gruan e tij që e qëlloi dje me armë zjarri për vdekje. 49 vjeçarja, pas divorcit, ishte larguar nga Berati, për të jetuar dhe punuar në Tiranë, bashkë me dy fëmijët e saj.
Ajo me të birin kishin hapur një biznes të vogël për të siguruar të ardhurat e tyre. Burimet e policisë , pohuan dje se Koço dhe Arjana Shyti, nuk kishin kryer procedurat e divorcit, por vetëm jetonin të ndarë prej së paku dy vitesh.
Pas mosmarrëveshjeve brenda çiftit, gruaja kishte vendosur të largohej nga Berati dhe të vijë për të jetuar në Tiranë, duke marrë edhe dy fëmijët. Por sipas policisë, ky fakt mund të mos i ketë pëlqyer 57- vjeçarit, i cili ka vendosur që të vrasë ish- gruan dhe veten. Policia dyshon se Shyti ka udhëtuar nga Beratit posaçërisht për të kryer krimin e dyfishtë.
Çanta me fishekzjarre sjell panik në vendngjarje

Koço Shyti gjatë udhëtimit nga Berati për në Tiranë, ka pasur me vete edhe një çantë sportive, ku në të ai kishte futur disa fishekzjarrë të lidhura në mënyrë artizanale. Sipas policisë, në fillim u dyshua se brenda çantës, mund të kishte lëndë eksplozive.
Kjo shkaktoi panik duke detyruar policinë të zgjeronte rrethimin dhe të thërriste ekspertët anti eksploziv për të realizuar një shpërthim të improvizuar për të shmangur ndonjë të papritur që mund të kishte pasoja të rënda.
Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, të ekspertëve të anti eksplozivit, ata realizuan një shpërthim me mjetet e tyre. Kjo vërtetoi që brenda në çantën sportive kishte pasur vetëm fishekzjarrë.
Ato ishin të lidhura në mënyrë artizanale, që të jepnin përshtypjen, e lëndëve eksplozive. Nga dyshimet e policisë për llojin e lëndës që mund të ishte brenda çantës, është bërë dhe rrethimi i një zone të madhe rreth vendit të ngjarjes, në rrugën “Skënder Luarasi”.

Viktimat

Koço Shyti, 57 vjeç
Arjana Shyti, 49 vjeçe

8 gëzhoja gjetën hetuesit në vendin e ngjares, gjatë veprimeve të kryera prej ekspertëve kriminalistë të ………………………………………….

6 plumba përshkruan trupin e Arjana Shytit, që sipas policisë i sollën asaj vdekjen e menjëhershme dhe plagë të rënda

Posted in kronike | Leave a comment

Ekspertët e BE, takime me Ramën e Berishën, nuk gjendet zgjidhja

UPDATE-Negociatat për zgjidhjen e krizës politike kthehen në pikën zero. Investimi i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës me një delegacion ekspertësh nuk ka mundur të bindë të paktën për ditën e parë të bisedimeve palët që të bien në ujdi mbi një zgjidhje të pranueshme për realizimin e transparencës për zgjedhjet e shkuara parlamentare. Dy takimet e veçanta të zhvilluara fillimisht me kreun e qeverisë Sali Berisha dhe më pas me kreun e opozitës Edi Rama, pavarësisht konfidencialitetit të rreptë, mësohet se nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndërsa mbeten ende të hapura mundësitë gjatë bisedimeve që pritet të mbahen edhe gjatë ditës sotme si për kutitë e materialeve zgjedhore ashtu edhe ato të votimit.

Takimi me Berishën

Takimi mes delegacionit të Bashkimit Europian dhe kryeministrit Berisha për krizën politike dhe qeverisëse që ka bllokuar Shqipërinë ka zgjatur për më shumë se dy orë dhe ka pasur disa momente tensionimi. Edhe pse të dyja palët kanë vendosur që zyrtarisht të mos kenë asnjë komunikim me median në lidhje me këtë takim, burimet pranë kryeministrisë kanë pohuar se biseda ka qenë e nxehtë dhe ndërkombëtarët kanë kundërshtuar dy nga pikat ku kryeministri Berisha nuk ka ndër mend të tërhiqet (materialet zgjedhore dhe djegia e fletëve) si dhe kanë diskutuar për pikën e tretë dhe atë më të rëndësishme, fletët e votimit. Ata kanë kundërshtuar mënyrën se si Berisha ka ofruar hapjen e kutive për të parë materialet zgjedhore. Kryeministri ka ofruar zgjidhjen nëpërmjet arkivit, një procedurë aspak transparente dhe që nuk siguron asnjë garanci për opozitën por edhe duket e pakuptimtë për ndërkombëtarët. Sipas tyre, hapja e kutive duhet të vijë si pasojë e një dialogu politik ku të caktohen qartë modalitetet e komisionit hetimor. Pika tjetër e debatuar ka qenë djegia apo jo e fletëve të votimit. Kryeministri ka insistuar se Kodi Zgjedhor parashikon djegien e fletëve të votimit ndërsa dërgimin e materialeve në arkivin e shtetit. Por Kodi nuk përcakton asnjë datë ose afat për djegien e fletëve. Pika 6 e nenit 178 të Kodit (djegia e fletëve) është bërë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme që kutitë të jenë gati kur të bëhen votimet e tjera. Zgjedhjet e ardhshme janë ato vendore në vitin 2011 dhe, sipas ndërkombëtarëve, nuk ka asnjë ngut për të djegur fletët e votimit deri sa për to të vendosë Komisioni i Venecias. Pikërisht rruga e fletëve të votimit deri në “Venecia” përmes një kërkese të kryeparlamentares Topalli, që do të ishte thelbi i marrëveshjes politike, apo përmes Gjykatës Kushtetuese që lihet në dorë të një institucioni të kontestuar fuqishëm nga opozita dhe ndërkombëtarët, do të jenë pjesa më e fortë e negociatave të ditëve të ardhshme.

Takimi me Ramën

Menjëherë sapo kanë lënë selinë e kryeministrit ekspertët e BE-së, KiE dhe Komisionit të Venecias të kryesuar nga Jana Sindelkova, zv/shefja e Kabinetit të Komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fule kanë bujtur në zyrën e kryetarit të PS-së Edi Rama. Takimi ka zgjatur për afro 90 minuta, pra afro 30 minuta më pak sesa ai me kryeministrin. Kreu socialistë Edi Rama ndryshe nga sa u prezantua në darkën e Strasburgut, dje përveç deputetes Vasilika Hysi shoqërohej në këtë takim edhe me Damian Gjiknurin, një njohës i mirë i çështjeve zgjedhore dhe një nga bashkëhartuesit e Kodit Elektoral. Vet përfaqësimi në një nivel të tillë teknikësh, njohës të Kushtetues dhe ligjit zgjedhor, por edhe përfaqësimi i ndërmjetësve evropianë flet qartë se bisedimet kanë qenë të karakterit teknik. Me gjithë se askush nuk ka pranuar të bëj të ditura rezultatet e këtij takimi, burime pranë tij kanë konfirmuar vetëm faktin se gjatë bisedimeve të mbrëmshme nuk është arritur asgjë konkrete dhe se palët gjenden ende larg në qëndrimet e tyre. Kështu socialistët mësohet se i kanë qëndruar dy kërkesave të tyre, hapje e kutive të materialeve zgjedhore dhe në varësi të tyre të bëhet dhe verifikimi i fletëve të votimit. Çka lë të kuptohet qartë se gjatë këtij takimi, pala socialiste ka qenë e prerë se fletët e votimit nuk duhet të digjen. Pas takimit që ka mbaruar në orën 22 e 30 minuta, përfaqësuesit europianë nuk kanë pranuar të deklarojnë asgjë, ndërsa përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan nuk ka nguruar të bëj truprojën e vartëses së Fules duke ndalur gazetarët që ti afroheshin asaj. Fejzi Braushi

Posted in politike | Leave a comment

Hello world!

Welcome to WordPress.com. This is your first post. Edit or delete it and start blogging!

Posted in Uncategorized | 1 Comment