Ekspertët e BE, takime me Ramën e Berishën, nuk gjendet zgjidhja

UPDATE-Negociatat për zgjidhjen e krizës politike kthehen në pikën zero. Investimi i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës me një delegacion ekspertësh nuk ka mundur të bindë të paktën për ditën e parë të bisedimeve palët që të bien në ujdi mbi një zgjidhje të pranueshme për realizimin e transparencës për zgjedhjet e shkuara parlamentare. Dy takimet e veçanta të zhvilluara fillimisht me kreun e qeverisë Sali Berisha dhe më pas me kreun e opozitës Edi Rama, pavarësisht konfidencialitetit të rreptë, mësohet se nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndërsa mbeten ende të hapura mundësitë gjatë bisedimeve që pritet të mbahen edhe gjatë ditës sotme si për kutitë e materialeve zgjedhore ashtu edhe ato të votimit.

Takimi me Berishën

Takimi mes delegacionit të Bashkimit Europian dhe kryeministrit Berisha për krizën politike dhe qeverisëse që ka bllokuar Shqipërinë ka zgjatur për më shumë se dy orë dhe ka pasur disa momente tensionimi. Edhe pse të dyja palët kanë vendosur që zyrtarisht të mos kenë asnjë komunikim me median në lidhje me këtë takim, burimet pranë kryeministrisë kanë pohuar se biseda ka qenë e nxehtë dhe ndërkombëtarët kanë kundërshtuar dy nga pikat ku kryeministri Berisha nuk ka ndër mend të tërhiqet (materialet zgjedhore dhe djegia e fletëve) si dhe kanë diskutuar për pikën e tretë dhe atë më të rëndësishme, fletët e votimit. Ata kanë kundërshtuar mënyrën se si Berisha ka ofruar hapjen e kutive për të parë materialet zgjedhore. Kryeministri ka ofruar zgjidhjen nëpërmjet arkivit, një procedurë aspak transparente dhe që nuk siguron asnjë garanci për opozitën por edhe duket e pakuptimtë për ndërkombëtarët. Sipas tyre, hapja e kutive duhet të vijë si pasojë e një dialogu politik ku të caktohen qartë modalitetet e komisionit hetimor. Pika tjetër e debatuar ka qenë djegia apo jo e fletëve të votimit. Kryeministri ka insistuar se Kodi Zgjedhor parashikon djegien e fletëve të votimit ndërsa dërgimin e materialeve në arkivin e shtetit. Por Kodi nuk përcakton asnjë datë ose afat për djegien e fletëve. Pika 6 e nenit 178 të Kodit (djegia e fletëve) është bërë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme që kutitë të jenë gati kur të bëhen votimet e tjera. Zgjedhjet e ardhshme janë ato vendore në vitin 2011 dhe, sipas ndërkombëtarëve, nuk ka asnjë ngut për të djegur fletët e votimit deri sa për to të vendosë Komisioni i Venecias. Pikërisht rruga e fletëve të votimit deri në “Venecia” përmes një kërkese të kryeparlamentares Topalli, që do të ishte thelbi i marrëveshjes politike, apo përmes Gjykatës Kushtetuese që lihet në dorë të një institucioni të kontestuar fuqishëm nga opozita dhe ndërkombëtarët, do të jenë pjesa më e fortë e negociatave të ditëve të ardhshme.

Takimi me Ramën

Menjëherë sapo kanë lënë selinë e kryeministrit ekspertët e BE-së, KiE dhe Komisionit të Venecias të kryesuar nga Jana Sindelkova, zv/shefja e Kabinetit të Komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fule kanë bujtur në zyrën e kryetarit të PS-së Edi Rama. Takimi ka zgjatur për afro 90 minuta, pra afro 30 minuta më pak sesa ai me kryeministrin. Kreu socialistë Edi Rama ndryshe nga sa u prezantua në darkën e Strasburgut, dje përveç deputetes Vasilika Hysi shoqërohej në këtë takim edhe me Damian Gjiknurin, një njohës i mirë i çështjeve zgjedhore dhe një nga bashkëhartuesit e Kodit Elektoral. Vet përfaqësimi në një nivel të tillë teknikësh, njohës të Kushtetues dhe ligjit zgjedhor, por edhe përfaqësimi i ndërmjetësve evropianë flet qartë se bisedimet kanë qenë të karakterit teknik. Me gjithë se askush nuk ka pranuar të bëj të ditura rezultatet e këtij takimi, burime pranë tij kanë konfirmuar vetëm faktin se gjatë bisedimeve të mbrëmshme nuk është arritur asgjë konkrete dhe se palët gjenden ende larg në qëndrimet e tyre. Kështu socialistët mësohet se i kanë qëndruar dy kërkesave të tyre, hapje e kutive të materialeve zgjedhore dhe në varësi të tyre të bëhet dhe verifikimi i fletëve të votimit. Çka lë të kuptohet qartë se gjatë këtij takimi, pala socialiste ka qenë e prerë se fletët e votimit nuk duhet të digjen. Pas takimit që ka mbaruar në orën 22 e 30 minuta, përfaqësuesit europianë nuk kanë pranuar të deklarojnë asgjë, ndërsa përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan nuk ka nguruar të bëj truprojën e vartëses së Fules duke ndalur gazetarët që ti afroheshin asaj. Fejzi Braushi

About tinajelvis

student
This entry was posted in politike. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s